Ahmeti: “Larg duart nga Marrëveshja e Ohrit”, ajo duhet të jetë bazë edhe për integrimin në BE

Advertisement

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi një panel diskutimi, ku u fol për zhvillimet para dhe pas konfliktit të vitit 2001 dhe ndikimin e marrëveshjes gjatë 25 viteve të fundit.

Aktiviteti nisi me shfaqjen e një dokumentari që paraqiti në mënyrë kronologjike ngjarjet që i paraprinë konfliktit, zhvillimet gjatë vitit 2001, nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit më 13 gusht 2001, si dhe periudhën pas saj.

Në panel mori pjesë edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të konfliktit të vitit 2001.

Ahmeti tha se Marrëveshja e Ohrit ka qenë një nga faktorët kryesorë që kontribuoi në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa sipas tij, ajo duhet të shërbejë edhe si bazë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të shihet si një arritje vetëm e shqiptarëve, por si një marrëveshje nga e cila, sipas tij, ka përfituar i gjithë vendi.

“Unë e dua Maqedoninë z. Buçkovski sa e doni ju, ky është vendi im, këtu i kam gjysh e stërgjyshë, katragjyshë e varet, sa e do Branko Cërvenkovski, sa e do Hristijan Mickoski”, deklaroi Ahmeti.

Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që, siç tha, tentojnë të cenojnë të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit që të mos ndërhyjnë në të.

“Larg duart nga Marrëveshja e Ohrit, çdokush që tenton të rrënojë gjuhën shqipe, të rrënojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat”, tha Ahmeti.

Sipas tij, të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit janë të garantuara edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.

“Kemi punuar bashkë 20 vjet. Nuk them unë që është vetëm rezultat i shqiptarëve, nuk them unë që vetëm shqiptarët kanë fituar me Marrëveshjen e Ohrit, ka fituar edhe kombi maqedonas”, përfundoi Ahmeti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit