Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK-ja ka vendosur të heqë dorë nga kërkesat për poste institucionale dhe nga çdo marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, me qëllim shmangien e një krize të mëtejshme institucionale.
“Le t’i ketë të gjitha LVV-ja”, deklaroi Abdixhiku në një konferencë për media pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së.
Ai tha se partia e tij nuk do të kërkojë asnjë ministri, postin e kryetarit të Kuvendit apo atë të presidentit.
“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri. Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, oferta e Vetëvendosjes për LDK-në ka qenë që kjo parti të ketë një rol të kufizuar në qeverisje. Abdixhiku pretendoi se LVV-ja i kishte ofruar LDK-së tri ministri, ndërsa postet e tjera do t’i mbante për vete.
Ai theksoi se LDK-ja nuk pranon, siç u shpreh, të jetë “dekor” dhe se në këto rrethana do të qëndrojë në opozitë, aty ku e kanë vendosur qytetarët.
“Mëqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për LDK-në si partnere, s’do ta ketë as si dekor. Në rrethana të tilla, do të qëndrojmë në opozitë, ku qytetarët na kanë vendosur dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, deklaroi ai.
Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja nuk do ta shndërrojë qëndrimin e saj politik në bllokadë dhe do të jetë e gatshme të bashkëpunojë për gjetjen e një zgjidhjeje për postin e presidentit.
“Pavarësisht këtij qëndrimi, LDK-ja s’do ta shndërrojë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, tha Abdixhiku.






