Dyshohet për shkarkim të ujërave të zeza në Gjirin e Lalzit, kërkohet verifikim nga autoritetet

Advertisement

Ujërat e zeza dyshohet se po shkarkohen drejtpërdrejt në det në Gjirin e Lalzit, duke ngritur shqetësime për ndotjen e një prej zonave të frekuentuara të bregdetit shqiptar gjatë sezonit turistik.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një shkarkim të dyshuar të ujërave të ndotura pranë bregut. Megjithatë, burimi dhe përbërja e këtyre ujërave duhet të verifikohen nga autoritetet përkatëse.

Rasti ka ngritur pikëpyetje lidhur me funksionimin e infrastrukturës së kanalizimeve, kontrollin e shkarkimeve dhe masat për mbrojtjen e bregdetit.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 vetëm 12.6 për qind e popullsisë së Shqipërisë ishte e lidhur me sisteme që ofrojnë të paktën trajtim dytësor të ujërave të ndotura. Ky tregues ishte 33.6 për qind në vitin 2018 dhe 30.9 për qind në vitin 2020.

Në rastin e Gjirit të Lalzit, mbetet për t’u përcaktuar nëse bëhet fjalë për shkarkim të ujërave të zeza dhe nëse ka ndotje të ujit të detit. Autoritetet pritet të verifikojnë burimin e shkarkimit dhe të kryejnë analizat përkatëse të cilësisë së ujit.

Nëse ndotja konfirmohet, institucionet përgjegjëse duhet të përcaktojnë burimin dhe të ndërmarrin masat e parashikuara nga legjislacioni.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit