Paolo Maldini zbulon prapaskenat e largimit nga Kombëtarja italiane. Ne nje interviste per Corrire dello Sport, Ish-kapiteni i Milanit tregon përplasjet me Malagon, negociatat me Guardiolën dhe arsyet që çuan në dështimin e projektit me Andrea Pirlon.
Paolo Maldini tregon të vërtetën e tij. Pas dorëheqjes nga posti i drejtorit teknik të Kombëtares, ish-kapiteni i Milanit foli për herë të parë për atë që ndodhi gjatë javëve të fundit, duke nisur me “po”-në ndaj presidentit të federatës italiane Malago.
“Më telefonoi në Pashkë dhe më tha: ekziston mundësia që unë të bëhem president i Federatës Italiane të Futbollit: ti je personi që do të doja të kisha me vete. Unë i dhashë gatishmërinë time. Për mua, në futboll ekzistojnë vetëm dy gjëra: Milani dhe Kombëtarja. Pastaj nuk e dëgjova më. Një ditë para zgjedhjeve, Malago më telefonoi përsëri: nesër votohet, ka mundësi të mira, do të doja të ishe në bord. I përgjigjem: të flasim”, tha Maldini.
Një bisedë që përfundimisht çoi në një marrëveshje mes të dyve. Nuk bëhej fjalë vetëm për të ringritur Kombëtaren. Duhej të riformohej futbolli Italian. Ky riformatim do të përfshinte edhe Leonardon me të cilin Maldini ka një mirëkuptim shumë të madh. Megjithatë, vetëm pas 16 ditësh erdhën dorëheqjet e të dyve: Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes ishte zgjedhja e trajnerit të Kombëtares: fillimisht u propozua Guardiola.
“Fillimisht pyeta: kush e zgjedh trajnerin? Malagò m’u përgjigj: trajnerin e zgjidhni ju dhe unë e miratoj. Kjo ishte marrëveshja. Pastaj ngjarjet bënë që kjo gjë të ndryshonte. Përmes disa miqve, Guardiola kishte shprehur idenë për të drejtuar një Kombëtare. Shkuam ta takonim në Barcelonë, hëngrëm drekë bashkë dhe folëm për një ditë të tërë. Ishte shumë i tunduar. Ishte shumë pranë pranimit. Madje kishte filluar të shkruante formacionet nëpër fletë…
Guardiola vjen nga dhjetë vite jashtëzakonisht të lodhshme në Premier League. Është operuar në shpinë. Dëshiron të pushojë. Por ishte një diskutim shumë serioz; studiuam skuadrat, nga U17 e lart. Paratë nuk ishin kurrë çështje. Pep na tha qartë: më jepni një euro më pak se sa merrte trajneri i fundit dhe për mua është në rregull”, tha Maldini.
Pas Guardiolës u propozua Andrea Pirlo, zgjedhje që Malagò nuk e pranoi kurrë plotësisht, ndaj çështja me kompaninë ruse për Maldinin u përdor si justifikim nga presidenti I Federates.
“Donim një trajner të ri, të ri në moshë. Mancini dhe Conte janë dy trajnerë të mëdhenj. Dhe nuk është çështje miqësie. Ne donim një trajner që ta përqafonte projektin dhe të kishte një karrierë të nivelit të lartë. Nga ana teknike, kur flas me Pirlon, e gjej shumë të përgatitur. Kompania ruse ndikoi. Ne nuk e dinim. Opinioni publik bëri punën e vet.
Por nga ana juridike nuk kishte asgjë që mund ta pengonte Andrean të bëhej trajner i Kombëtares. Sigurisht që u ekzagjerua në mënyrë absolute. Pirlo ishte i gatshëm t’i ndërpriste marrëdhëniet me kompaninë ruse të basteve. Është një person shumë korrekt dhe nuk e meritonte gjithë atë zhurmë. Më pas Malago më telefonoi mua dhe Leonardon për të thënë: ‘Sipas meje, Pirlo nuk mund të merret më. Nga sot trajnerin e zgjedh unë. Nga sot ndryshojnë rregullat: unë vendos trajnerin dhe ju e miratoni”, tha Maldini.
Maldini e konsideroi të papranueshme faktin që nuk kishte lirshmëri dhe për këtë bashkë me Leonardon paraqitën dorëheqjen:
“Nëse kam një detyrë, nëse kam një përgjegjësi dhe dua ta ushtroj atë, ky është një diskutim i papranueshëm. Unë jam mësuar të punoj ndryshe. Nëse kërkon bashkëpunim dhe parashikon një projekt të përbashkët, atëherë duhet ta ndash dhe ta ndërtosh bashkë me të tjerët.”
Italia ka zyrtarizuar Roberto Mançinin në stol, me trajnerin që fitoi Europianin pak vite më parë, por u largua për një kontratë marramendëse në Arabi. Tashmë do të jetë kapitulli i tij i dytë në Kombëtare, i cili do të nisë në shtator kundër Belgjikës në Ligën e Kombeve.






