Prokurorët në Ekuador kanë ngritur akuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm, José Serrano, dhe gjashtë personave të tjerë, nën dyshimin se kanë pasur rol të tërthortë në vrasjen e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023.
Sipas BBC-së, në mesin e të akuzuarve është edhe Wilmer “Pipo” Chavarria, kreu i dyshuar i kartelit Los Lobos. Villavicencio u vra gjatë një aktiviteti të fushatës në Quito, disa ditë para zgjedhjeve presidenciale.
Pesë persona të lidhur me bandën kriminale u dënuan në vitin 2024 për vrasjen, ndërsa Chavarria u arrestua në Spanjë vitin e kaluar, pasi dyshohet se kishte inskenuar vdekjen e tij.
Villavicencio, ish-gazetar dhe ligjvënës, ishte i njohur për qëndrimin e tij kundër korrupsionit dhe për denoncimet e lidhjeve të dyshuara mes krimit të organizuar dhe zyrtarëve qeveritarë. Për shkak të kërcënimeve me vdekje, ai kishte marrë mbrojtje të posaçme gjatë fushatës.
Presidenti Daniel Noboa, i cili fitoi zgjedhjet pas vrasjes së Villavicencios, ka ndjekur një politikë të ashpër ndaj grupeve kriminale në vend.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Ekuadorit, shtatë personat e akuzuar së fundmi dyshohet se kanë luajtur role të ndryshme në organizimin e atentatit, ndërsa disa prej tyre kanë lidhje me Los Lobos, një nga grupet kriminale më të fuqishme të vendit.
Hetimet dhe procedurat gjyqësore për rastin vijojnë.






