Selimi: Nëse mbrojtja e gjuhës shqipe ju duket sulm, problemi është më i thellë!

Shkup, 14 maj – Analisti Sefer Selimi ka reaguar ndaj deklaratës së bashkëkryetarit të VLEN-it, Bilall Kasami, i cili mbrëmë tha se “po ta kishte sulmuar Edi Rama vetëm 10% Ali Ahmetin si e sulmon VLEN-in, nuk kishte degraduar çështja shqiptare këto 20 vjet”.

Përmes një reagimi publik, Selimi vlerëson se Kasami ka dëshirë për protagonizëm politik, por thekson se nuk i kujtohet asnjë kritikë direkte nga kryeministri shqiptar Edi Rama apo Tirana zyrtare ndaj VLEN-it ose vetë Kasamit.

Sipas Selimit, Tirana zyrtare nuk mund të barazohet me emisione satirike apo media të caktuara në Shqipëri, duke rikujtuar se përfaqësues të VLEN-it kanë qenë të pranishëm dhjetëra herë në mediat shqiptare pa asnjë pengesë.

Postimi i plotë i Sefer Selimit:

Gjysmë-kryetari Bilall Kasamit ka dëshirë për protagonizëm, dhe në politikë kjo është e kuptueshme. Por, në mbamendjen time nuk më kujtohet as edhe një kritikë e Edi Ramës apo e Tiranës zyrtare ndaj VLEN-it ose vetë Bilall Kasamit. Tirana zyrtare nuk është “Portokallia”, as mediumet në Shqipëri ku përfaqësuesit e partisë së tij janë shfaqur dhjetëra herë pa asnjë problem.

Nëse qëndrimin e Tiranës se “shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shtetformues, duhet të jenë plotësisht të barabartë me maqedonasit, se gjuha shqipe është e shenjtë, zyrtare dhe nuk guxon të preket”, z. Bilalli e konsideron kritikë personale ndaj tij, atëherë problemi është shumë më i thellë dhe lidhet me vetë atë që ai pretendon se përfaqëson.

Ajo që ka ndodhur në realitet është krejt e kundërta.

Eksponentë të lartë të VLEN-it janë lëshuar me akuza të paskrupullta, duke vjellë vrer e duke hedhur baltë mbi Shqipërinë, duke sulmuar Edi Ramën dhe Tiranën zyrtare si “agresive dhe përçarëse”, madje duke e përshkruar Shqipërinë si “shtet ku lulëzon narkotrafiku” dhe ku “mbrohen krimi e korrupsioni”. Kjo për t’iu lëpirë VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit.

Dhe pastaj habiten pse askush nuk i merr seriozisht kur përpiqen ta shesin veten si viktima politike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit