Në emisionin N’Podium me Mefo Ismailin në Ora24.tv, përfaqësuesi i Lëvizja Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka folur për dallimet mes subjektit të tij dhe partive të tjera politike në vend.
Ai theksoi se ndryshe nga partitë e “regjimit të vjetër”, të cilat sipas tij kanë bërë pazare me poste publike, ambasada dhe resurse shtetërore, Vetëvendosje nuk ndjek një qasje të tillë.
Sipas Qorrollit, kryeministri Albin Kurti nuk bën pazare politike, por ofron kompromise në funksion të stabilitetit institucional dhe bashkëqeverisjes.
Duke folur për raportet me Lidhja Demokratike e Kosovës, ai bëri të ditur se Vetëvendosje kishte ofruar katër ministri, postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe të drejtën për propozimin e presidentit.
Megjithatë, kushti i tyre, sipas tij, ishte që presidenti të jetë figurë neutrale dhe jo nga radhët e partive politike. Si alternativë, ai tha se LDK-së i ishte ofruar edhe posti i kryetarit të Kuvendit.
Qorrolli nënvizoi se, megjithëse Vetëvendosje kishte shumicën parlamentare, qëllimi ka qenë bashkëpunimi politik pa cenuar parimet dhe pa hyrë në pazare.





