Shkup, 29 Prill, Zhurnal.mk – Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka njoftuar se synon që gjatë pesë viteve të ardhshme të investojë mbi 200 miliardë Denarë (afro 3,3 milliardë Euro) për investime në projekte publike/kapitale, raporton Zhurnal.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski dhe Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska folën për këto shifra sot pas një takimi të qeverisë lidhur me synimet e punës së Komitetit për Investime Publike të formuar në Shtator të vitit të kaluar.
Mickoski tha se se me formimin e këtij komiteti, shteti po vendos një mekanizëm të ri dhe më të përgjegjshëm për menaxhimin e investimeve, duke synuar planifikim më strategjik dhe efikas të projekteve kapitale.
“Mendoj se vlera e përgjithshme e cila është lëndë e këtij dokumenti tash për tash është mbi 200 miliardë denarë, diçka më shumë se 3 miliardë Euro për pesë vitet e ardhshme,” u tha gazetarëve Mickoski pas takimit të qeverisë, për të shtuar se për secilin nga këto pesë vite mesatarja e parave të planifikuara është rreth 600 milionë euro në vit investime në projekte publike.
Në takimin e qeverisë ai potencoi se qëllimi kryesor është që çdo mjet buxhetor të orientohet drejt projekteve që sjellin vlerë të shtuar, rritje ekonomike dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Mickoski sqaroi se sektorët kryesorë ku po planifikohen investime janë transporti, arsimi, shëndetësia, transformimin digjital, bujqësia dhe energjetika.
Në transport u përmendën hekurudhat moderne dhe lidhja përmes korridoreve 8 dhe 10, ndërsa në arsim ndërtimi dhe përfundimi i objekteve universitare.
Në shëndetësi, kryeministri nënvizoi investimet në spitalet klinike rajonale në Tetovë, Shtip dhe Kërçovë, ndërsa në digjitalizim u paralajmërua krijimi i qendrës shtetërore të të dhënave dhe forcimi i sigurisë kibernetike / Zhurnal.mk





