Rritje rekorde e çmimeve të naftës në Kosovë pritet të marrë fund. Kjo pas zhvillimeve globale dhe një marrëveshje paqeje 2 javore mes SHBA-së dhe Iranit.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një prononcim për IndeksOnlinen ka theksuar se tashmë trendi i rënies ka nisur në tregjet ndërkombëtare.
“Sot çmimi në bursë është duke u ulur dhe kjo pritet të reflektohet shumë shpejt edhe në Kosovë”, ka deklaruar Berjani.
Aktualisht, çmimet në tregun vendor janë: dizeli 1.89 euro për litër, ndërsa benzina 1.46 euro për një litër.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk mund të jepen afate të sakta për uljen e çmimeve në tregun vendor.
“S’mundemi me paragjyku se kur do të ulen çmimet te ne, sepse krejt varet prej bursës”, është shprehur ai.
Sipas tij, ulja e çmimeve lidhet me zhvillimet ndërkombëtare dhe pritjet për marrëveshje që po ndikojnë në stabilizimin e tregut global të naftës.
Lehtësimi i tensioneve mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po konsiderohet një ndër faktorët kryesorë që po shtyn çmimet drejt rënies në bursat botërore.



