Reagon Muftinia e Strugës pas arrestimit të Hoxhës nga Podgorci

Myftinia e BFI-së Strugë ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve në media për arrestimin e personit me iniciale D.R., duke sqaruar se ai nuk ka asnjë lidhje aktuale me institucionin.
Në një deklaratë publike, Myftinia thekson se D.R. ka qenë i angazhuar vetëm përkohësisht si imam në fshatin Dollogozhdë, në periudhën nga 16 deri më 26 janar 2026. Sipas tyre, bëhej fjalë për një angazhim kalimtar, i kërkuar nga komuniteti lokal për të siguruar vazhdimësinë e faljeve.
Institucioni fetar sqaron se angazhimi i tij ka përfunduar zyrtarisht më 26 janar dhe që nga ajo datë ai nuk ushtron asnjë funksion në kuadër të Myftinisë së Strugës.
Nga Myftinia theksojnë se në momentin e angazhimit nuk kanë pasur asnjë informacion zyrtar për procedura penale apo ndalesa ligjore ndaj personit në fjalë, duke nënvizuar se nuk posedojnë kompetenca hetimore dhe varen nga informacionet zyrtare të institucioneve shtetërore.
“Përgjegjësia për veprime eventuale të kundërligjshme është individuale dhe nuk mund të transferohet mbi institucionin,” thuhet në reagim.
Myftinia shpreh besim në organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit dhe shpreh keqardhje që titulli “Imam” po përmendet në kontekste të tilla, duke theksuar se veprimet e një individi nuk përfaqësojnë misionin e imamëve dhe institucionit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit