Pianistja e njohur nga Kosova, Melisa Ibrahimi, po vazhdon të shënojë suksese të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, duke u vlerësuar së fundmi me çmimin e argjendtë në Global Music Awards Honors Los Angeles 2026, shkruan KultPlus.
Ky vlerësim prestigjioz erdhi për regjistrimin e veprës “Mazeppa” të kompozitorit të famshëm Franz Liszt, realizuar në bashkëpunim me Devastato Talent School. Kritika muzikore e ka përshkruar interpretimin e saj si një performancë shpërthyese artistike, duke e cilësuar pianisten si “duart që prodhojnë këtë vullkan”.
Në një intervistë për KultPlus, Ibrahimi e cilësoi këtë çmim si një moment shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik.
“Çmimi i argjendtë në Global Music Awards Honors Los Angeles 2026 ka një rëndësi të veçantë për karrierën time, sepse është një njohje ndërkombëtare që vlerëson artistë të dalluar nga e gjithë bota. Për mua, ky çmim tregon që puna dhe pasioni im për muzikën klasike po arrijnë skenat më të larta ndërkombëtare.” , duke thënë për KultPlus se ky çmim i jep energji dhe motivim të ri për projekte të ardhshme dhe interpretime të reja.
Për vlerësimin kritik si “duart që prodhojnë këtë vullkan”, thotë se është një emocion i veçantë dhe simbolizon fuqinë e brendshme, tensionin dramatik dhe kontrollin e energjisë artistike që kërkon muzika e Liszt-it.
“Ky koment më emocionon dhe më mbush me krenari. Ai përmbledh fuqinë, tensionin emocional dhe energjinë që kërkohet për të interpretuar Liszt-in në mënyrën më të mirë. Të marrësh një njohje të tillë nga ekspertë ndërkombëtarë të muzikës klasike është vërtet e veçantë.”, vazhdoi ajo duke theksuar se ky lloj vlerësimi e shtyn të kërkojë gjithmonë perfeksion në performancat e saj.



