Kuvendi i RMV-së të mërkurën në suaza të seancës së 145-të pritet të zgjedhë anëtar të ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Sipas informacioneve të AIM, propozimi që Abdush Demiri të jetë anëtari i shtatë i organit më të lartë zgjedhor në vend mund të marrë mbështetje nga më shumë se 80 deputetë, edhe pse për votimin e tij nevojitet shumicë prej dy të tretave.
Burimet partiake për AIM thonë se pritet për Demirin të mos votojnë deputetët e BDI-së dhe nga krahu i Zijadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa LSDM, OBRM-PDUKM dhe koalicionet e tyre si dhe opozita shqiptare do ta mbështesin.
Pas mosmarrëveshjeve disa muajshe për atë se cila parti shqiptare të ketë anëtarin e saj në KSHZ, Demiri mbeti kandidati i vetëm pasi Zulfi Adili nga ASH u tërhoq sepse u emërua drejtor në Agjencinë për Investime të Huaja.