Foshnja e parë është vajzë, u lind në Klinikën e Gjinekologjisë – në mesnatë lindën edhe binjake në Çair

Foshnja e parë e lindur në vend në vitin 2026 është një vajzë, Evgenija, e lindur në mesnatë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (GAK) në Shkup.

Ajo ka lindur me prerje cezariane, peshon 2.8 kilogramë dhe është e gjatë 48 centimetra. Evgenija është fëmija i tretë në familjen Kamçevi. Nëna është 38-vjeçarja Emilija Kamçeva.

Sot, nënën dhe foshnjën në GAK i vizituan ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Politikës Sociale, Azir Aliu dhe Fatmir Limani, zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski, kryetari i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor Sasho Klekovski, si dhe bashkëshortja e kryeministrit, Rozi Mickovska.

Drejtoresha e GAK-ut, Irena Aleksioska-Papestiev, deklaroi se Evgenija është simbol i pjellorisë dhe se fakti që ajo është fëmija i tretë në familje përbën një stimul për shumë familje.

“Sepse një shtëpi e mbushur me shumë fëmijë është shtëpia më e ndritshme, më e ngrohtë dhe më e gëzueshme. I falënderoj familjen Kamçevi që janë shembull dhe shpresoj se do të inkurajojnë shumë familje në vendin tonë të kenë familje me shumë fëmijë”, tha drejtoresha Aleksioska-Papestiev.

Ajo shtoi se në GAK do të vazhdojë përmirësimi i kushteve. Sipas saj, pas rinovimit të Shkollës për përgatitje psikosociale të pacienteve, është shënuar rritje prej 170 lindjesh.

“Nuk është shumë, por pas disa vitesh sërish e kemi kaluar shifrën prej 4.000 lindjesh dhe vitin e kaluar kemi pasur 4.043 lindje në maternitetin më të madh në vend. Shpresoj që ky trend të vazhdojë edhe në maternitetet e tjera”, tha Aleksioska-Papestiev.

Ministrat Aliu dhe Limani deklaruan se edhe dy vajza të tjera kanë lindur në mesnatë në Gjinekologjinë e Çairit dhe se vajzat janë bekim.

“Kjo do të jetë një vit i bekuar. Ne, si Ministri e Shëndetësisë, do të investojmë në infrastrukturë dhe kapacitete dinjitoze për çdo të porsalindur në vendin tonë. U dëshiroj foshnjave një jetë të shëndetshme dhe mirëqenie”, tha Aliu.

Limani shtoi se të porsalindurit janë simbol i fillimit dhe shpresës për shtetin dhe u uroi familjeve që fëmijët të rriten me dashuri dhe shëndet.

“Çdo lindje është pasuri për shoqërinë tonë dhe motiv i fortë për të krijuar kushte më të mira për fëmijët dhe familjet. Është detyrimi ynë t’u sigurojmë kushte për çerdhe, shkolla dhe punësim”, tha Limani.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se viti 2026 do të jetë i frytshëm dhe me begati, pasi vajzat janë simbol i përparimit.

Ai theksoi se, përveç dhuratave për foshnjën e lindur në GAK, do të vizitohen dhe do të dhurohen edhe dy vajzat e para të lindura në maternitetin e Çairit.

Për herë të parë këtë vit, Qyteti i Shkupit do të ndajë dhurata për të gjithë të porsalindurit, njoftoi Gjorgjievski.

“Gjithashtu do të angazhohemi të rrisim mbështetjen tradicionale të Qytetit të Shkupit, për të stimuluar familjet që të kenë sa më shumë fëmijë, gjë që është në përputhje me politikat e Qeverisë dhe është e nevojshme për shtetin. Qyteti i Shkupit do të jetë gjithmonë mbështetje”, theksoi ai.

Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se deri në gjysmën e dytë të vitit 2026, Qyteti i Shkupit do të nisë ndërtimin e garazhit të parë shumëkatësh në Qendrën Klinike, për të zgjidhur problemin e parkimit.

“Kjo realisht do ta zgjidhë problemin për të punësuarit dhe për të gjithë qytetarët që vijnë këtu për nevoja shëndetësore. Deri në fund të mandatit tim, planifikojmë ndërtimin e dy garazheve shumëkatëshe”, deklaroi kryetari i Shkupit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit