8.8 C
Skopje
Friday, December 5, 2025

Filipçe: Front i ri i LSDM-së kundër korrupsionit

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, dr. Venko Filipçe, në konferencën e sotme për media njoftoi për një front të ri të LSDM-së në luftën kundër korrupsionit. Ky front, siç tha Filipçe, përfshin dy iniciativa të mëdha, të cilat shënojnë një etapë të re në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe skemave kriminale të VMRO-DPMNE-së.

Iniciativa e parë lidhet me thirrjen drejtuar prokurores evropiane Laura Kovesi që të vizitojë Maqedoninë, sepse, siç theksoi Filipçe, nuk mund të ketë besim te institucionet e pushtetit të cilat janë mbrojtës të krimit.

“LSDM e fton prokuroren evropiane Laura Kovesi të vizitojë Maqedoninë, të njihet personalisht me keqpërdorimet që VMRO-DPMNE po i bën me fondet evropiane, ndër të cilat është edhe ajo që tashmë është e qartë – programi IPARD, në të cilin janë të rrezikuara 130 milionë euro”, tha Filipçe.

Iniciativa e dytë ka të bëjë me formimin e të ashtuquajturit ekip antikorrupsion i LSDM-së, i cili është pjesë e programit “Fuqi e re” dhe përbëhet nga këshilltarë dhe ekspertë të fushës së drejtësisë dhe financave.

“Ekipi antikorrupsion është një nga shtyllat e këtij programi të ri. Ata do të hetojnë skandale, do të analizojnë dokumente, do t’i paraqesin ato para publikut, do t’i zbulojnë të gjitha skemat korruptive të këtij pushteti kriminal. Do të paraqesim kallëzime përkatëse në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Filipçe.

Ai shtoi se kjo është fuqia e re e LSDM-së që do të ndërtojë vlera evropiane në Maqedoninë Evropiane.

“Së shpejti do të publikojmë edhe një platformë në të cilën çdo qytetar, nga kudo në shtet, nga çdo fshat, qytet, komunë apo rajon, do të mund të raportojë skandale të tilla. Të ngarkojë dokumente, të raportojë korrupsion, të dorëzojë dëshmi dhe materiale. Dhe ky është një front i ri, një front së bashku me qytetarët në luftën kundër korrupsionit të këtij pushteti kriminal dhe antipopullor”, theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit