Ish-kryetari i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, i hedh poshtë akuzat për keqpërdorim të prokurimit publik për blerjen e autobusëve elektrikë në vlerë prej rreth 430 milionë denarëve.
“E refuzoj tërësisht dyshimin për kryerje të veprës penale që lidhet me prokurimin e autobusëve elektrikë në Strumicë. Projekti me rëndësi strategjike për komunën, nga i cili sot të gjithë banorët kanë përfitime të qarta ekonomike, ekologjike dhe të komunikacionit, është iniciuar proceduralisht nga Komuna, i votuar nga Këshilli i Komunës së Strumicës dhe me udhëzime të qarta për formimin e Ndërmarrjes Publike të Transportit, realizimin e prokurimit dhe implementimin e projektit”, shkroi Kostadinov në Facebook.
Ai theksoi se beson se të gjitha procedurat janë zbatuar sipas ligjeve në fuqi.
“Besoj se të gjitha këto hapa janë ndërmarrë në përputhje me ligjin. Gjithashtu dua të theksoj se unë personalisht, dhe shpresoj të gjithë personat e përmendur për të cilët dyshohet për vepër penale, jemi në dispozicion të të gjitha organeve kompetente për t’u sqaruar në detaje se si është realizuar ky projekt, i cili sot funksionon pa asnjë problem. Koment politik nuk dua të jap”, shkroi Kostadinov.
Policia ka paraqitur kallëzim penal kundër Kostadinov dhe pesë personave të tjerë për keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik për autobusët elektrikë.
Nga MPB informojnë se janë blerë 10 autobusë elektrikë për shumën 429.933.595 denarë, me ç’rast është shkaktuar dëm material me përmasa të mëdha.





