Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot zhvilloi një takim pune me përfaqësues të Bankës Botërore, ku u prezantuan fushat prioritare për investime në shëndetësi, me synim avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë. Në takim morën pjesë: Kerol Megevand – drejtoreshë e zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë, Reka Menon – drejtor i sektorit të shëndetësisë për Evropë dhe Azinë Qendrore, si dhe ekspertë të tjerë të institucionit.
“Me ekspertët e Bankës Botërore kemi vendosur një bashkëpunim të suksesshëm, i cili në periudhën e ardhshme do të përforcohet më tej përmes investimeve në fusha të ndryshme të shëndetësisë. Në një nga takimet e mëparshme konstatuam se Ministria e Shëndetësisë është institucionalisht e mobilizuar dhe e përkushtuar ndaj reformave të thella në sistemin e kujdesit shëndetësor primar, duke përfshirë edhe integrimin e modelit të kujdesit afatgjatë. Së bashku me ekspertët shqyrtuam mundësitë që Banka Botërore të sigurojë mbështetje analitike, teknike dhe financiare për këto procese.”– deklaroi ministri Aliu.
Prezantimi i fushave prioritare në shëndetësi është rezultat i analizave të thelluara të kryera në sektor, të cilat tregojnë sfidat dhe mundësitë për transformimin e sistemit shëndetësor.





