Pavarësisht rritjes së lehtë, interesimi për të studiuar në Fakultetin Pedagogjik në Shkup duket sikur nuk po shfaqet mjaftueshëm tek maturantët. Në 30 vjetorin e funksionimit të këtij institucioni u tha se profesioni i mësuesisë mbetet tërheqës por jo në nivelin e duhur edhe pse Ministria e Arsimit i stimulon studentët e rinj me bursa vjetore. Me ketë rast, mësimdhënësit që tashmë kanë braktisur mësimin tradicional dhe janë orientuar drejt metodave bashkëkohore vlerësojnë se qasja e re ka sjellë rezultate më të mira dhe u mundëson nxënësve të zhvillojnë mendim kritik, kreativitet dhe aftësi të vlefshme për jetën. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska theksoi se cilësia e arsimit varet para së gjithash nga vetë mësuesit. Ajo tha se modernizimi i programeve studimore është i domosdoshëm në epokën e transformimit digjital.
“Misioni ynë është të përgatisim kuadro sa më kompetente që të mund t’u përgjigjen sfidave shoqërore si përfshirja, teknologjia digjitale, njohuritë funksionale etj., ndaj programet tona vazhdimisht modernizohen. Interesi për regjistrim rritet lehtë çdo vit, sepse profesioni i mësuesit mbetet tërheqës për disa maturantët. Për vitin akademik 2025/2026 janë regjistruar rreth 150 studentë, ndërsa Ministria e Arsimit i stimulon të rinjtë me bursa vjetore”, deklaroi Biljana Kamçevska, dekane e Fakultetit Pedagogjik.
“Në mësimin bashkëkohor, mësuesi është moderator, mentor dhe udhëheqës i procesit ku në qendër është nxënësi. Dominon puna kërkimore, puna në projekte, puna në ekip dhe zgjidhja e problemeve të jetës së përditshme. Nëpërmjet këtyre proceseve nxënësit zhvillojnë mendim kritik, empati, bashkëpunim dhe fitojnë aftësi të domosdoshme për jetën në shekullin 21”, tha Vesna Nedanovska, mësuese e grupit klasor.





