Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ndodhet për vizitë pune në Vienë, Austri, ku do të marrë pjesë në Takimin e 32-të Ministror të OSBE-së 2025, me të cilin kryeson Finlanda.
Siç njoftojnë nga MPJ dhe Tregtia e Jashtme, ministri do të ketë disa fjalime për tema me interes të gjerë të ndërsjellë në dritën e kontekstit të ndërlikuar të sigurisë me të cilin përballet rajoni i OSBE-së.
Përveç pjesëmarrjes në Këshillin Ministror, agjenda e ministrit gjatë vizitës në Vienë përfshin edhe pjesëmarrjen në takimin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”, në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga vendet-anëtare të grupit dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, njofton Ministria.
Në kuadër të vizitës në Vienë, Mucunski do të realizojë takim edhe me Shoqatën e Industrialistëve të Austrisë, ku do të paraqiten mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik. Nga Ministria shtojnë se është paraparë që ministri Mucunski të realizojë edhe një sërë takimesh dhe bisedimesh bilaterale.
OSBE është një organizatë e njohur për konceptin e saj gjithëpërfshirës për siguri, që përfshin çështje politike-ushtarake, si edhe të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.





