Kushtet e këqija në konviktin studentor “Goce Dellçev” sërish po dalin në pah, ndërsa studentët thonë se përballen çdo ditë me probleme që prej vitesh nuk zgjidhen. Një pjesë e këtyre problemeve dokumentohen dhe publikohen rregullisht edhe në rrjetin social Instagram, në profilin “SD. Goce Delchev”, ku studentët ndajnë foto dhe video nga gjendja reale në konvikt.
“Mungojnë kushtet elementare, ashensorët nuk funksionojnë dhe valixhet duhet t’i ngjisim deri në katin e 15-të. Larëset edhe kur punojnë janë të kufizuara nga të punësuarit. Ushqimi është katastrofë, porcionet janë të vogla dhe me cilësi të dobët. Ka studentë që varen nga ushqimi i konviktit, pra nuk munden të përballojnë të blejnë diçka shtesë”, tregon për “Fokus” Angeli, një student nga brendësia e Maqedonisë që jeton në konvikt prej katër vitesh.
Të njëjtën e thekson edhe Marinela, studente e cila ka qenë e akomoduar në “Goce Dellçev” gjatë viteve të kaluara. Sipas saj, problemet nuk janë të reja – por “shumëvjeçare dhe të vazhdueshme”.
Problemet që përmend Angeli janë vetëm një pjesë e asaj që studentët e konviktit ndajnë çdo ditë në rrjetet sociale: ashensorë jashtë funksionit, lavanderi të mbipopulluara dhe shpesh jofunksionale, instalime sanitare të prishura dhe ushqim që, sipas studentëve, nuk plotëson as cilësinë minimale.
Edhe pse “Goce Dellçev” është konvikti më i madh në vend dhe pranon mijëra studentë, mirëmbajtja institucionale dhe reagimi ndaj raportimeve, sipas banorëve, është i pamjaftueshëm dhe i ngadalshëm.
Studentët thonë se prej vitesh apelojnë, por pa rezultate të dukshme. Ndërsa institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës, banorët e “Goce Dellçevit” vazhdojnë të jetojnë në kushte shumë larg çdo standardi normal. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe ndryshime sistemore, duke paralajmëruar se injorimi i vazhdueshëm i problemeve vetëm sa e thellon krizën në standardin studentor.





