12.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Tregu i zi – pilulat për abort, pa recetë dhe pa kontroll!

Pilulat për abort po qarkullojnë në tregun e zi, ndërsa Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore ende nuk i ka regjistruar ato. Kjo nënkupton se, megjithëse aborti farmakologjik është i ligjshëm te ne që nga viti 2019, gratë jashtë sistemit spitalor i blejnë këto pilula në internet, në klinika private apo jashtë vendit, shpesh pa asnjë mbikëqyrje mjekësore. Në shumë raste, pacientet që përjetojnë ndërlikime, si gjakderdhje, infeksione apo abort të paplotë, përfundojnë duke kërkuar ndihmë emergjente në spitalet gjinekologjike. Edhe pse metoda e abortit farmakologjik konsiderohet më e sigurt se ajo kirurgjikale, mungesa e kontrollit profesional dhe të ligjshëm e kthen atë në një rrezik serioz shëndetësor.

Gjinekologia Edita Iseni për gazetën KOHA thekson se përdorimi i këtyre barnave jashtë mbikëqyrjes mjekësore mund të ketë pasoja të rënda fizike dhe psikologjike për gratë. “Përdorimi i pilulave për abort medikamentoz pa mbikëqyrje mjekësore mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e gruas, si fizike (gjakderdhje e rëndë, abort inkomplet, infeksion, gabim në dozim ose kohën e përdorimit, si dhe reaksione anësore të rënda) ashtu edhe psikologjike (ankth, faj, stres ose depresion pas abortit)”, thotë ajo.

Sipas Isenit, pjesa më e madhe e pacienteve që i drejtohen asaj janë të informuara për këtë çështje, por rreziku mbetet real. “Fatmirësisht pacientet që vizitojnë ambulantën time janë shumë mirë të njoftuara mbi këtë temë nëse kanë qenë të interesuara, dhe për atë nuk kam pasur përballje të shumta me këto raste, por kjo nuk do të thotë që nuk ka. Me siguri kërkohet ndihmë mjekësore në repartet gjinekologjike dhe qendrat emergjente”, shton ajo duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme institucionale për të ndaluar tregun e zi të këtyre barnave dhe të garantojnë që çdo grua të ketë qasje në kujdes të ligjshëm, të sigurt dhe human.

Ndërkaq, edhe sektori civil kërkon që këto barna të regjistrohen sa më parë për të shmangur blerjet e paligjshme. Nga Shoqata HERA, theksojnë se shteti duhet të nxisë kompanitë farmaceutike të aplikojnë për regjistrimin e pilulave Mifepristone dhe Misopristol. “Regjistrimi dhe importi i rregullt jo vetëm që do ta bëjnë shërbimin më të arritshëm, por do të sjellin edhe kushte më të kontrolluara për përdorim. Kjo do të kontribuonte ndjeshëm në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe sigurisë së grave”, thotë Olivera Stojkovska Ivanovska nga HERA, duke treguar se vendi tashmë ka kapacitet profesional për ta mundësuar këtë shërbim, pasi janë trajnuar rreth 180 gjinekologë nga nivele të ndryshme të kujdesit shëndetësor.

Lidhur me këtë çështje, nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor theksojnë se metoda e prokurimit dhe shitjes së këtyre preparateve rregullohet me Ligjin për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore, ndërsa mbikëqyrja kryhet nga inspektorët farmaceutikë të MALMED-it. Nga inspektorati thonë se gjatë inspektimeve të rregullta nuk janë konstatuar ndërprerje mjekësore të shtatzënisë në institucionet e nivelit parësor, e as nuk janë pranuar ankesa për parregullsi lidhur me këtë çështje.

Nga ana tjetër, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, ku përdorimi i pilulave është i ligjshëm, pothuajse të gjitha abortet deri në javën e 12-të kryhen me këtë metodë. Vetëm vitin e kaluar, 95 për qind e aborteve në këtë periudhë u kryen me pilulë, ndryshe nga viti 2020 kur përqindja ishte vetëm 13.7. Ndër të tjera, jashtë institucioneve të licencuara, tregu i zi po lulëzon në rrjete sociale dhe portale anonime, ndërsa institucionet kompetente ende nuk kanë raportuar asnjë rast konkret të sanksionuar. /Koha/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit