Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka mbërritur ditën e sotme në Izrael në përgjigje të ftesës që mori një javë më parë nga homologu izraelit, Gideon Sa’ar.
Ministrja e Jashtme do të pritet në një takim bilateral nga homologu Sa’ar, si dhe nga Kryetari i Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana.
Ndalesën e saj të parë në Izrael, Ministrja Spiropali e pati në vendodhjen e Festivalit Nova, në përkujtim të viktimave të masakrës së 7 tetorit të vitit 2023, që u mori jetën mbi 1200 civilëve në Izrael.
Spiropali theksoi se “kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”.
“Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, arritur së fundmi me ndërmjetësimin e Presidentit Trump si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesën në siguri e dinjitet për të dy popujt”, deklaroi Spiropali nga Izraeli.
Diskutimet mes dy ministrave të jashtëm do të fokusohen gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin ekonomik, inovacionin dhe interesat e përbashkëta strategjike.
Spiropali do të vizitojë gjithashtu Memorialin “Yad Vashem”, qendrën e përkujtimit dhe dokumentimit të Holokaustit, ku shqiptarët nderohen ndër popujt që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.