11.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Gostivari siç e meritojmë: i pastër, i qetë, i qytetëruar, premtimi i Visar Ademit

Në një fillim fushate që tingëllon më shumë si një mision sesa si premtim elektoral, kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, u zotua se për vetëm 7 ditë do ta pastrojë qytetin nga mbeturinat, dhe për 7 javë do t’i japë fund deponive ilegale që, sipas tij, kanë mbushur çdo cep të Gostivarit.

“Ne kemi me qindra deponi, dhe komuna çfarë bën? Akuzon qytetarët. Ua hedh fajin atyre, sikur papastërtia është në karakterin tonë, jo në paaftësinë e tyre. Shkoni në çdo bulevard – jo nëpër rrugica – dhe më tregoni një kosh plehrash! S’ka! Po si kërkon pastërti një komunë që s’ka as koshë për mbeturina?”, deklaroi me ton të ashpër Ademi para mbështetësve.

Ai nuk e kurseu as administratën aktuale, duke thënë se do ta “pastrojë” jo vetëm qytetin, por edhe institucionet nga “njerëzit që janë punësuar vetëm përmes partive”.

“Qentë endacakë dhe njerëzit endacakë në pozita partiake – të gjithë do të marrin fund. Gostivari meriton të jetë qytet i pastër, i ndershëm dhe i organizuar, jo një deponi urbane dhe politike”, theksoi ai.

Fushata e Visar Ademit nisi me moton “Koha për Veprim”, ndërsa premtimet e tij kanë ndezur debat të gjallë në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë po e përkrahin për stilin e drejtpërdrejtë dhe guximin për t’u përballur me të pandryshueshmen.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit