17.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Valbon Limani në TV Shenja: “Zgjidhja e çështjes së mbeturinave dhe rritja e vetëdijes qytetare janë prioritet”

Kandidati i koalicionit AKI për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ishte i ftuar në një debat televiziv në TV Shenja, ku diskutoi disa prej çështjeve kyçe që preokupojnë qytetarët, përfshirë menaxhimin e mbeturinave, investimet në infrastrukturë dhe borxhin e komunës.

Limani theksoi se ka një plan konkret për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave, të cilin beson se mund ta realizojë brenda vitit të parë të mandatit. “Qyteti po rritet në aspektin urbanistik dhe është i domosdoshëm një rikonfigurim i pikave të mbeturinave. Kemi nisur edhe rinovimin e kapaciteteve për menaxhim më efikas,” tha ai, duke shtuar se vetëm në pesë muajt e fundit janë furnizuar me dy kamionë të rinj për transportin e mbeturinave.

Sipas Limanit, do të ketë rikonfigurim edhe në raport me kapacitetin e nevojshëm, duke përshtatur numrin e kontejnerëve me sasinë aktuale të mbeturinave që prodhon qyteti. Ai theksoi se “menaxhimi i mbeturinave nuk është në një gjendje të keqe”, por pranoi nevojën për përmirësime të mëtejshme dhe kampanja për rritjen e vetëdijes qytetare në këtë drejtim.

I pyetur nga moderatori për kritikat e vazhdueshme se ekskavatorët dhe makineritë e punës aktivizohen vetëm në periudha zgjedhore, Limani tha se kjo nuk qëndron. “Që një vit para zgjedhjeve kemi hartuar plane në bashkëpunim me qytetarët. Që nga dita kur kam marrë detyrën, ekskavatorët kanë ndalur vetëm kur ka pasur kushte të pafavorshme atmosferike,” deklaroi ai, duke shtuar se janë realizuar mbi 20 projekte infrastrukturore.

Një tjetër temë e trajtuar ishte borxhi i Komunës së Gostivarit, për të cilin moderatori përmendi një shifër prej rreth 25 milionë eurosh. Limani e kontestoi këtë vlerë, duke sqaruar: “Borxhi i përgjithshëm nuk është aq. Borxhi i komunës është rreth 11 milionë euro, ndërsa ai i ndërmarrjeve publike arrin në rreth 4.8 milionë.” Sipas tij, një pjesë e borxhit figuron në dokumente për shkak të obligimeve të mbartura.

Ai gjithashtu foli për rëndësinë e rritjes së vetëdijes qytetare në raport me pagesat e tatimeve lokale, si dhe faturat për ujë dhe menaxhimin e mbeturinave. “Do të përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin dhe të krijojmë një kulturë të re përgjegjësie qytetare,” përfundoi Limani.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit