12.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Bujar Osmani prezanton programin zgjedhor për Çairin: Parkim, ndërmarrje komunale dhe transparencë në qeverisje

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni AKI, Bujar Osmani, prezantoi sot programin e tij zgjedhor, duke theksuar disa prej pikave kryesore që synon të realizojë në rast të zgjedhjes së tij në krye të komunës.

Sipas Osmanit, një nga prioritetet kryesore të programit është përmirësimi i mobilitetit urban, përfshirë krijimin e 2,500 vendeve të reja për parkim. Po ashtu, ai propozon themelimin e një ndërmarrjeje të re komunale për higjienë publike dhe masa për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë të fazave të prokurimeve publike.

Në fjalën e tij, Osmani deklaroi se programi i tij përfshin si masa afatshkurtra ashtu edhe një vizion afatgjatë për zhvillimin e komunës. Ai prezantoi planin “Çair 2040”, të cilin e përshkroi si një dokument strategjik të hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë, që synon të shërbejë si bazë për zhvillimin urban të komunës, pavarësisht ndryshimeve politike.

Ai gjithashtu tha se qytetarët presin ndryshim të qasjes në qeverisje dhe jo vetëm ndërrim figurash politike, duke shtuar se ndryshimet e propozuara synojnë rritjen e ndershmërisë dhe përkushtimit institucional.

Programi u prezantua në një ngjarje publike, ku Osmani theksoi se do të nisë zbatimin e pjesës urgjente të tij që nga dita e parë e mandatit, nëse zgjidhet kryetar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit