Më shumë se 200 nxënës, prindër, mësimdhënës dhe partnerë të shoqërisë civile u bashkuan sot në Shkollën fillore “Zhivko Brajkovski” në Butel, Shkup, për të kremtuar projektin “Ndërtojmë Ura të Reja” të Misionit të OSBE-së në Shkup. Nisur më vitin 2022, nga Misioni, kjo nismë ka shërbyer si katalizator për inkluzion, dialog dhe besim midis komuniteteve të ndryshme mbarë Maqedonisë së Veriut. Gjatë dy viteve të kaluara, afërsisht 2,600 të rinj u angazhuan në aktivitete të përbashkëta arsimore dhe artistike të cilat forcuan kohezionin shoqëror dhe krijuan lidhje dhe miqësi të fuqishme midis komuniteteve, transmeton Portalb.mk.
“Falë kësaj nisme, 30 shkolla shtetërore futën klasa të përbashkëta kurrikulare, duke mundësuar që më shumë se 2,000 nxënës nga komuniteti maqedonas, shqiptar, turk, romë dhe boshnjak të mësojnë së bashku lëndët e shkencave, gjuhë, art dhe sport. Për shumë nga këto, kjo ishte mundësia e parë për të ndarë klasën me moshatarët e tyre nga komunitetet e tjera. Këto orë vërtetuan se edukimi i përbashkët nxitë jo vetëm progres akademik por gjithashtu dhe respekt, miqësi dhe besim të fort”, thonë nga OSBE.
Për më tepër, 13 organizata të shoqërisë civile shndërruan kreativitetin në gjuhë të dialogut dhe inkluzionit. Duke përdorur muzikën, teatrin, komikët, dhe artet vizuale ata angazhuan 600 të rinj drejtpërdrejtë dhe prekën mijëra më shumë përmes koncerteve dhe ekspozitave. Këto nisma i pajisën të rinjtë me mjetet për të sfiduar stereotipat, ndërtuar besimin dhe inspiruar tolerancën në komunitetet e tyre.
“Urat e ndërtuara përmes këtij projektit janë të forta dhe do të zgjasin për një jetë të tërë,” tha ambasadori Kilian Wahl, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup. “Të rinjtë shijuan që diversiteti nuk është dobësi, por burim i fuqisë. Ky është suksesi i tyre dhe së bashku do ta lëvizim përpara”.
Duke përgëzuar ambasadorin Wahl, kolegët nga OSBE dhe partnerët e tjerë diplomatik për përkushtimin e tyre ndaj qëllimit për të ndërtuar lidhje të qëndrueshme, ambasadorja Aggeler nënvizoi bindjen e përbashkët se paqja dhe mirëkuptimi arrihen përmes projektimit dhe kultivimit të parapërcaktuar. Duke iu drejtuar nxënësve, ambasadorja Aggeler konfirmoi rolin e tyre qenësor si ardhmëria e Maqedonisë së Veriut, duke i inkurajuar ata të përqafojnë inteligjencën, kreativitetin, energjinë dhe guximin e tyre për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe më të begatshme për komunitetet e tyre dhe rajonin.
“Urat që keni ndërtuar këtu përmes kësaj nisme, nuk janë vetëm simbolike—ato janë lidhje reale dhe të forta që frymëzojnë shpresë dhe unitet. Çmimet e sotme nderojnë arritjet e jashtëzakonshme të të rinjve, vizioni dhe përkushtimi i të cilëve vazhdon të formësojë një rrugë pozitive përpara. Së bashku, ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ura të cilat kapërcejnë ndarjet, krijojnë mundësi dhe frymëzojnë brezat që do të vijnë,” theksoi ambasadorja Aggeler.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, nënvizoi vlerën e projektit për kohezion të qëndrueshëm.
“Përmes arsimit të integruar dhe bashkëpunimit ndërkulturor mes të rinjve nga shkollat fillore dhe të mesme, gjuhët amtare të të cilëve janë maqedonishtja, shqipja, serbishtja, boshnjakishtja dhe turqishtja, përmes aktiviteteve të përbashkëta mësimore dhe jashtëmësimore, të rinjtë së bashku ndërtuan mirëkuptim të ndërsjellë dhe lidhje të qëndrueshme. Këto aktivitete edhe një herë konfirmuan të vërtetën se fëmijët dhe të rinjtë shumë lehtë komunikojnë mes vete, pa marrë parasysh sa të ndryshëm janë, nëse të rriturit ua mundësojnë këtë”, tha Janevska.
Ministrja Janevska shtoi se Ministria do të vazhdojë të përdorë politikat arsimore për të nxitur bashkëjetesën dhe unitetin si themel të vendit.
Ceremonia përmbyllëse përfshiu fjalimet mirëseardhëse nga drejtorja e shkollës,Magdica Peeva, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe ambasadoret Kristin Melsom nga Norvegjia dhe Angela P. Aggeler nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si donatorët kryesor të projektit; si dhe performanca kreative dhe garën rinore Treasure Hunt duke simbolizuar punën ekipore, kreativitetin dhe lojën e ndershme. Drejtorët e shkollave dhe përfaqësuesit e OShC-ve u shpërblyen me pllaka si mirënjohje për kontributin e tyre.
Ambasadori Wahl shprehu mirënjohjen e tij konsorciumit të donatorëve – Mbretëria e Norvegjisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Republika e Polonisë, Mbretëria e Holandës dhe Dukata e Madhe e Luksemburgut – dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, për partneritetin e ngushtë.
“Sot nuk festojmë një përfundim, por një fillim,” përfundoi Wahl. “Misioni i OSBE-së në Shkup mbetet i përkushtuar të punojë me dhe për të rinjtë, duke u ndihmuar tyre të vazhdojnë të ndërtojnë urat e besimit të cilat Maqedonia e Veriut i dëshiron për një ardhmëri të qëndrueshme, kreative dhe të përbashkët”.