Në Maqedoni tash një vit njerëzit po vriten nëpër rrugë, lagje dhe shtëpitë e tyre, ndërsa ministri Toshkovski nuk mund ta fshehë më të vërtetën, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska, në konferencën e sotme për shtyp në selinë e parties, transmeton Portalb.mk.
Ajo theksoi se opinioni është dëshmitar i një vargu vrasjesh, përleshjesh me armë, likuidimesh dhe kërcënimesh që kanë ndodhur në vend gjatë viteve të fundit, ndërsa policia, në vend që t’i ndalojë klanet e drogës, i mbron ato.
“Sistemi është i paralizuar, kriminelët kontrollojnë rrugët, ndërsa pushteti, me heshtjen dhe paaftësinë e tij, ua mundëson këtë. Ministri Toshkovski prej muajsh flet për ‘ulje të kriminalitetit’, ndërkohë që Maqedonia tronditet çdo ditë nga vrasje”, tha Kuzevska.
Ajo shtoi se mesazhi që po marrin qytetarët është se jeta e tyre vlen më pak se ambiciet e pushtetit dhe pikërisht për këtë arsye Pançe Toshkovski duhet menjëherë të japë dorëheqje – jo për arsye morale, por sepse, siç thotë LSDM-ja, ai është i paaftë të garantojë sigurinë e qytetarëve.





